Mungesë vullneti për dietë? Ja një zgjidhje
- Healthy Lifestyle Albania
- May 22, 2023
- 3 min read
Ja një guidë e përgjithshme si të përgatitni ushqimet për javën
Fëmijët, puna, mirëmbajtja e shtëpisë; të gjitha këto bëjnë që gatimi të mbetet pas dore dhe është sfidues të mbahet një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar.
Zgjidhja? Parapërgatitja e vakteve !!!
Duke planifikuar dhe përgatitur vaktet tuaja paraprakisht, ju mund të siguroheni që po hani ushqim me vlera ushqyese duke kursyer kohë gjatë gjithë javës.
Nëse jeni të rinj në fushën e përgatitjes së vakteve dhe kërkoni të nisni këtë udhëtim, ky udhëzues fillestar do t'ju ndihmojë për t'ja nisur nga diku!

Përfitimet e parapërgatitjes së vakteve
a) Kursimi i kohës: Këtu ju kuptoj më së miri. "Bezdisja e përditshme" thjesht nga mendimi se cfarë do ha sot, ta bën punën më të vështirë.
Por, duke i kushtuar pak orë çdo javë përgatitjes së vakteve, do liroheni nga stresi i përditshëm i gatimit.
b) Zgjedhje më të shëndetshme: Planifikimi i vakteve paraprakisht, ju lejon të bëni zgjedhjet e duhura, duke siguruar një dietë të ekuilibruar me të gjithë lëndët ushqyese thelbësore.
c) Kontrolli i porcioneve: Planifikimi ju ndihmon të menaxhoni racione, duke parandaluar mbingrënien dhe duke ndihmuar në menaxhimin e peshës
d) Kursen para: Duke shmangur marrjen e ushqimit në minutën e fundit ose ngrënien jashtë, ju mund të reduktoni ndjeshëm shpenzimet tuaja.
Planifikoni dhe vendosni objektiva
Filloni duke përcaktuar qëllimet tuaja. Dëshironi të hani më shëndetshëm, të humbisni peshë apo të kurseni para?
Të keni një synim të qartë, do t'ju ndihmojë të hartoni më mirë planifikimin javor.
Merrni parasysh këshillat e mëposhtme:
a) Krijoni një plan javor të vakteve: Hartoni një menu për javën e ardhshme, duke përfshirë mëngjesin, drekën, darkën dhe mesvaktet.
Sigurohuni që të përfshini një shumëllojshmëri frutash, perimesh, drithëra, proteina pa yndyrë dhe yndyrna të shëndetshme.
b) Llogarisni racionet: Gjeni cilat janë nevojat tuaja ditore kalorike dhe ideoni vaktet.
Përdorni fillimisht gota matëse ose peshore ushqimi për të qënë më të saktë.
c) Merrni parasysh kufizimet dietike: Nëse keni ndonjë kufizim dietik ose nevoja specifike ushqimore, planifikoni vaktet tuaja në përputhje me problematikat tuaja.Eksploroni receta të ndryshme dhe përshtatini sipas mundësisë.
Pazaret
Blerja efikase e ushqimeve është thelbësore për përgatitjen e suksesshme të vakteve.
Ndiqni këto këshilla për ta bërë blerjen më pak stresuese
a) Bëni një listë blerjesh: Referojuni planit tuaj të vakteve dhe krijoni një listë të detajuar të blerjeve. Qëndrojini strikt listës për të shmangur blerjet e panevojshme dhe impulsive
b) Zgjidhni përbërës të freskët dhe të stinës: Zgjidhni ushqime dhe produkte sezonale. Zakonisht ato janë më të lira, të pasura me lëndë ushqyese dhe me shije.
c) Blini me shumicë: artikujt që nuk prishen si drithërat, bishtajoret dhe erëzat mund të blihen në sasi, duke kursyer para dhe kohë.
Përgatitja dhe gatimi
Tani vjen pjesa argëtuese - përgatitja dhe gatimi i vakteve tuaja! Ja se si të thjeshtoni procesin:
a) Gatimi në sasi: Gatuani sasi më të mëdha të përbërësve bazë si drithërat, proteinat dhe perimet e pjekura që mund të përdoren në vakte të shumta gjatë javës.
b) Përdorni mjetet e duhura: Investoni në gjërat thelbësore të kuzhinës si një tenxhere me presion, tigan që nuk ngjit dhe blender, për të thjeshtuar gatimin dhe për të kursyer kohë.
c) Ruajtja në mënyrën e duhur: Investoni në tasa me cilësi të lartë që janë të sigurta edhe në ngrirje dhe kanë ndarje për komponentë të ndryshëm. Etiketojini tasat me detajet e ushqimit dhe përdorni enë transparente për identifikim më të lehtë.

Fillo që nesër:
Fillimi i rrugëtimit për përgatitjen e vakteve mund të jetë një përvojë transformuese për shëndetin dhe stilin tuaj të jetesës. Duke ndjekur këtë udhëzues do të krijoni vakte ushqyese që përshtaten pa probleme në rutinën tuaj.
Sa super e paske formuluar shkruar spo di ta gjej fjalen e sakte si mund te shkarkoj ta lexoj cdo dit